Shqipëria rikthen plazhet publike, Rama kërkon kualifikim të stafeve të shërbimit
Të gjithë plazhet shqiptare, prej vitit të ardhshëm do të jenë publike. Përjashtim do të bëjnë vetëm strukturat akomoduese të hotelerisë.
Kryeministri e njoftoi këtë nismë në podcast-in e tij, gjatë bisedës me Gladiolën dhe Eltonin, të dy, të investuar drejtpërdrejt në fushën e turizmit dhe promovimit të vendit.
“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezlonge. Mund të vësh beach bar por nuk ke shezlone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezlong. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Rama.
Vendimi vjen në një kohë që Shqipëria renditet në rang botëror, në vendet e sugjeruara për turizëm, por gjatë këtij sezoni u konstatuan problematika sa i takon rritjes së pajustifikuar të çmimeve të shezlongëve dhe akomodimit.
Rama kërkon rritjen e standardit të shërbimeve.
“Një nga problemet që bëhet gjithmonë e më i mprehtë është problem i cilësisë së kapitalit njerëzor, që ka në fushën e turizmit, të trajnimit profesional, të cilësisë profesionale të aftësimit të atyre që kontribuojnë në të gjithë zinxhirin e mikpritjes. Duke nisur nga ata që presin në recepsion”, tha Rama.
Kryeministri lajmëroi gjithashtu projektin e ndërtimit të një resorti për ski në Korçë.