Shqipëria ruan rekordin me Lihtenshtejnin
Në Haladas Sportkomplexum, Shqipëria imponohet 3-0 ndaj Lihtenshtejnit, duke marrë fitoren e parë në miqësoren e parë të qershorit, që paraprijnë kampionatin Europian. Kuqezinjtë nuk gabojnë dhe ruajnë rekordin e 100% fitoreve kundër Lihtenshtejnit, i mundur për herë të katërt, në po kaq ndeshje. Sylvinho ndryshoi diçka mes titullarëve, duke nisur ashtu si pritej nga minuta e parë me Brojën, Asanin e Asllanin, që i kanë të nevojshme minutat në këmbë, ndërsa Ajeti u vendos krah Ismajlit e Balliu mori vendin e Hysajt.
Një skuadër që i mori ngadalë xhirot e motorit, por gjithësesi funksionale, me Asllanin që gjeti rrjetën e jashtme në minutën e 15-të e Hoxhën e Asanin që impenjuan, por jo sa duhet portierin e Lihtenshtejnit, Ospelt.
Shqipëria ishte në modalitetin Europian, kundërshtarët jo dhe inteligjenca e Bajramit që nisi papritur lojën nga goditja e dënimit gjeti të papërgatitur mbrojtjen e Lihtenshtejnit me Brojën 31’ që shënoi qetësisht golin e avantazhit. Shumë i rëndësishëm ky gol për qendërsulmuesin shkodran, maja e diamantit e formacionit të Sylvinhos.
Braziliani ndryshoi kartat në pjesën e dytë për ti dhënë minuta edhe lojtarëve si Muçi, Laçi e Mihaj, por për ta siguruar se ndeshja ishte nën kontroll mendoi Asani, që në minutën e 47’ bëri 2-0 me një goditje perfekte dënimi. Ajo që pritet në fakt nga ish-sulmuesi anësori i Partizanit, në golin e 4 në Kombëtare, pas tre në kualifikuese.
Kundërshtarët nuk bënë asnjë goditje në portën, duke e patur të vështirë madje të bënin tre pasime radhazi dhe Muçi atëherë bëri 3-0 në minutën e 67’, duke përfituar nga topi i kthyer nga shtylla, pas goditjes së Asanit.
Një gol, që vulosi rezultatin, si për të prishur 2-0 që kishtë mbizotëruar në tre precedentët e mëparshëm mes dy kombëtareve. Sylvinho mund të jetë i kënaqur e tani vëmendja spostohet të Azerbaixhani, në datën 7 qershor, po në Hungari.