Shqipëria tenton misionin e pamundur, skenari si mund të kualifikohen kuqezinjtë
Megjithëse janë luajtur dy ndeshjet e para në grupin B, situata është mjaft e paqartë për Kombëtaren shqiptare. Të hënën kuqezinjtë do të luajnë takimin e fundit ndaj Spanjës në Duseldorf, në ora 21:00.
Mbrëmjen e djeshme, spanjollet fituan minimalisht ndaj Italisë 1-0 dhe shkuan në kuotën e 6 pikëve dhe duke siguruar vendin e parë në grup dhe kalimin për më tej.
Pas saj vjen kombëtarja italiane me 3 pikë, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia me nga 1 pikë.
Skenari që të kualifikohet Shqipëria duket i pamundur, megjithatë lojtarët kuqezinj besojnë se do kalojnë më tej dhe këtë e shprehën edhe konferencën e djeshme për shtyp.
Shqipëria duhet me doemos të fitojë ndaj Spanjës të hënën dhe nga ana tjetër duhet që Italia të humbasë me Kroacinë. Edhe në rast fitoreje të Italisë dhe Shqipëria nëse ia del me Spanjën renditet e treta dhe mund të shpresoj për më tej si e treta më e mirë.
Por, historiku i ndeshjeve me Spanjën është mjaft negativ për kombëtaren tonë, pasi Shqipëria ka humbur të tetë përballjet me Furinë e Kuqe.