Shqipëria, “tris” edhe ndaj Azerbajxhanit
Shqipëria e mbyll me fitore grumbullimin austriak, duke mposhtur Azerbajxhanin 3-1, në miqësoren e fundit përpara fluturimit për në Gjermani, për kampionatin Evropian. Kuqezinjtë e teknikut Sylvinho kanë treguar soliditet difensiv dhe forcë grupi, ndaj një kundërshtari, që ndryshe nga Lihtenshtejni, luajti kartat e tij dhe provoi në disa raste të impenjonte Strakoshën.
Me titullarët në fushë, me rikthimin e Gjimshitit, por në krah të Ajetit dhe jo Ismajlit, gjërat u bënë të thjeshta në minutën e 11’ kur Bajrami zhbllokoi ndeshjen me një goditje nga distanca, duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Kush mendonte se mund të ishte e lehtë, duhet të ndryshonte mendim kur Isajev dhe Husejnov provuan të gjenin kuadratin e mbrojtur nga Strakosha.
Në minutën e 38’ megjithatë Bajrami, tepër i ekzaltuar këtë mbrëmje shkoi pranë golit të dytë, duke e detyruar portierin në një devijim të vështirë në kënd. Sylvinho kërkoi të shihte më shumë lojtarë dhe Manaj, Mihaj, Aliji dhe Hoxha morën vendin e Asanit, Brojës, Mitajt dhe Gjimshitit, me brazilianin që u kujdes gjithashtu të evitonte ndonjë dëmtim të mundshëm.
E në pjesën e dytë, pas minutave në ekuilibër, ku Strakosha fillimisht në linjë e pastaj shënjestra e gabuar e Shejdajev shpëtuan kuqezinjtë nga barazimi, ndodhi gjithçka në 10 minutat e fundit. Manaj shënoi golin e dytë në minutën e 81’, pas një pasimi të Alijit, ndërsa tre minuta nga fundi Laçi iu bashkua festës duke kompletuar trisin, pas një kombinimi me Bajramin dhe një goditje që nuk i la asnjë shans Mahamedal.
Ndoshta e konsideruan të mbyllur dhe u relaksuan para kohë, sepse në zhvillimet e një goditje këndi Gurbanli e gjeti topin në këmbë për të fiksuar 3-1, që nuk i prish asnjë punë moralit të kuqezinjve, që me dy fitore fluturojnë të shtunën drejt SportCentrum Kaiserau, për tu bërë skuadra e parë që mbërrin në Gjermani për kampionatin Evropian.