Shqipëria U-19, kundërshtarë të vështirë
UEFA i ka besuar një tjetër turne Shqipërisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Bëhet fjalë për kombëtaren e vajzave të moshës deri në 19 vjeç, kjo në raundin e dytë, Liga B. Pas shortit të hedhur në Zvicër, Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç është vendosur përballë Skocisë, Qipros dhe Lihtenshtejnit. Dhe ndeshjet do të luhen në vendin tonë më 3, 6 dhe 9 prill.
Me Skocinë dhe Lihtenshtejnin, Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç është ndeshur dhe në prillin e këtij viti, përsëri në raundin e dytë. Pikërisht në Arenën Kombëtare u mund 0-5 nga Skocia dhe fitoi 2-0 me Lihtenshtejnin. Në raundin e parë në Ligën B, Shqipëria, kjo për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024, fitoi 2-1 me Lituaninë, 2-1 me Qipron dhe u mund 0-3 nga Zvicra.
Pra duke patur dhe Qipron në grup, vajzat kuqezi kanë mundësi të bëjnë shumë më mirë në këtë raund të dytë. Ekipi që drejtohet nga trajneri Kreshnik Krepi do të tentojë vendin e parë të grupit për t’u ngjitur në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues të Europianit të vajzave për këtë grupmoshë.