Shqipëria U19, vjen humbja e tretë radhazi
Përfaqësuesja e 19-vjeçarëve, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku e ka mbyllur me humbje aventurën në kualifikueset e Kampionatit Europian 2024. Kuqezinjtë janë mundur me rezultatin 1-0 nga Sllovenia në ndeshjen e tretë të Grupit 13, në ndehsjen e luajtur në “Elbasan Arena”.
Pjesa e parë e takimit ishte e qetë dhe pa raste të pastra shënimi. Fraksioni i dytë nisi me dy zëvëndësime për kuqezinjtë. Në fushë u aktivizuan Nuredini dhe Duro, ndërsa Sllovenia gjeti golin e takimit në të 48-ën me Macak.
Në minutat në vijim trajneri Ervin Bulku futi në fushë edhe Bellojin, Buzin dhe Zaganjorin por në rezultat nuk ndryshoi asgjë. Kujtojmë që në ndeshjen e parë Shqipëria u mund nga Irlanda me rezultatin 3-1, ndërsa në të dytën nga Belgjika me rezultatin 2-0. Vetëm një gol i shënuar dhe gjashtë të pësuar, zero pikë.
Ndeshja tjetër e grupit mes Belgjikës U-19 dhe Irlandës U-19 përfundoi me fitoren e belgëve 1-0. Sfida u luajt në “Arena Egnatia” dhe vendosi një gol i Degreet në minutën e 46 në fraksionin e dytë.