Shqipëria vlerësohet për shërbimet online

Forumi Rajonal për Mbrojtjen Shoqërore për Europën, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë, ka vlerësuar Shqipërinë për shërbimet online. Ky çmim i është dhënë Shqipërisë për ofrimin e shërbimeve elektronike përmes digjitalizimit.
Vlerësim ka marrë edhe programi për mbrojtjen e veçantë, për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur, për të cilat shteti mbulon kontributet e sigurimeve shoqërore. Ky program u vlerësuar me çmimin “Certifikatë e Meritës me Përmendje të Veçantë” nga Komisioni Teknik i ISSA-s dhe Juria e pavarur ndërkombëtare e Konkursit “ISSA Good Practice Award Europe 2024”.
Për digjitalizimin e arkivës së sigurimeve shoqërore, raportet mjekësore dhe shërbimet online, Instituti i Sigurimeve Shoqërore u vlerësua me “Certifikata Merite”.
Kryeministri Edi Rama tha se “Shqipëria u dallua me shërbimet e saj mes 26 shteteve dhe 119 praktikave të tjera të prezantuara gjatë këtij konkursi, ku vlerësohen institucionet novatore dhe që kanë në fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”.