Shqipëria zgjidhet anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027
Shqipëria është zgjedhur anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027. Lajmin e bën me dije ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Ministri ka vlerësuar se roli i UNESCO-s është më i domosdoshëm se kurrë ndërsa ka falenderuar të gjitha shtetet anëtare që na besuan këtë përgjegjësi të rëndësishme.
“Një lajm i shkëlqyer vjen nga Parisi: Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027.
Falenderojmë të gjitha shtetet anëtare që na besuan këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe presim të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë anëtarët e Bordit, në frymën e dialogut dhe konsensusit.
Në një botë të ndarë nga kriza të shumta, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të investojmë në paqe. Roli i UNESCO-s është më i domosdoshëm se kurrë.
Mirënjohje ambasadores Besiana Kadare dhe stafit të MEPJ për punën e shkëlqyer”, shkruan në rrjetin social X ministri.