Shqipërisë i shtohet një tjetër festë zyrtare, Dita e Alfabetit
Shqipërisë do i shtohet një tjetër festë zyrtare, Dita e Alfabetit. Vendimi i marrë këtë të enjte në Këshillin e Ministrave u komunikua nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Ky i fundit deklaroi se 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve.
“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim në ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. KM po i propozon Kuvendit shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve të cilët një të shpërndarë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe ajo që i bashkon është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të identifikohen këtë gjuhë të bukur me alfabetin latin.
E kemi marrë iniciativën edhe pas bisedimeve që patëm në Samitin e Diasporës,” u shpreh Hasani.
Data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, pasi kjo datë shënon ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit. Mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908 është mbajtur një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.