“Shqiponja e Artë” për Silvinjon
Kryeministri Edi Rama i ka akorduar “Shqiponjën e Artë”, trajnerit të kombëtares shqiptares, Silvinjo. Teksa e ftoi në skenë për t’i dhuruar “Shqiponjën e Artë”, kryeministri Rama theksoi se trajneri i kuqezinjve është një shqiptar në lindje e sipër duke iu referuar suksesit të kombëtares shqiptare që u kualifikua në Evropianin që do të mbahet në Gjermani në vitin 2024. Sipas Ramës, megjithëse ky çmim u jepet shqiptarëve me kontributet e tyre të veçanta, Silvinjo është jo shqiptari i parë që e merr një të tillë.
“Këtë shqiponjë nuk e kam për asnjë shqiptar, për asnjë arbëresh. Por shqiptar mund të lindësh, shqiptar mund të bëhesh. Këtë shqiponjë e kam për një shqiptar në lindje e sipër. Kjo është shqiponja e artë që u jepet të gjithë shqiptarëve, jo atyre të veçantë se shqiptarët të gjithë të veçantë por atyre që janë më të veçantë se sa të veçantët shqiptarë. Ti je jo-shqiptari i parë që merr “Shqiponjën e artë” të shqiptarëve, por jo për gjithçka që ke bërë, por sepse siç e thashë këtu, ti je një shqiptar që po lind”.
Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se Silvinjo së shpejti do të marrë edhe shtetësinë shqiptare. Nga ana e tij, trajneri i kombëtares shqiptare Silvinjo falënderoi në shqip të gjithë të pranishmit në takimin e Diasporës ndërsa theksoi se pa kuqezinjtë në fushën e lojës do të kishte qenë e pamundur të arrinte deri këtu.
“Para së gjithash do të doja të falënderoja të gjithë lojtarët e kombëtares shqiptare. Janë mjaft të zotë. Po ashtu edhe stafin e Federatës, faleminderit të gjithëve. Pa lojtarët e kombëtares nuk do të ishte e mundur të isha këtu sonte dhe të marr këtë çmim që për mua është një nder i madh. Një qytetar i botës, i lindur në San Paolo, për të jetuar në Londër, më pas në Mançester, Barcelonë, Milano, dhe sot qytetar shqiptar. Faleminderit shumë të gjithëve!”.