Shqiptarët dhe teknologjia-Rritet përdorimi i e-qeverisjes dhe tregtia online
Të dhënat e publikuara në Anketën e Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit për vitin 2023, flasin për një përfshirje gjithnjë e më të madhe të individëve dhe familjeve shqiptare në botën e Teknologjisë dhe Informacionit.
Mjeti më i përdorur për të hyrë në internet me një distancë të konsiderueshme është telefoni inteligjent me 99.8% të individëve i ndjekur nga laptopi, desktop dhe në fund tableti.
Zgjerimi i aksesit po njeh rritje te përdorimit të e-qeverisjes. Në vitin 2023 familjet dhe individët kanë shfrytëzuar teknologjinë për një sërë shërbimesh publike.
Rritje të lartë kanë shënuar kategoritë “shkarkim apo printim të formularëve zyrtarë” me 2,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022 ndjekur nga kategoria “marrje informacioni nga faqet ose aplikacionet e internetit” e cila ka shënuar rritje me rreth 1,9 pikë përqindje.
Pjese e anketës janë edhe blerjet “online” ku përgjatë 2023-shit, 38,5 % e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç “kanë realizuar blerje me një rritje prej rreth 3,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022.
Sa i përket gjinive si burrat edhe gratë kanë shtuar praninë e tyre në internet përgjatë 2023-shit duke shënuar rritje prej 0,5 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022.
Shpeshtësia e përdorimit të internetit sipas ndarjes gjinore, tregon se përdorimi i internetit “disa herë gjatë ditës” dominohet nga burrat me 50,3 %, ndërsa përdorimi i tij “çdo ditë” dominohet nga gratë me 53,3 %.
Vlen të thuhet gratë kanë kryer më shumë blerje për: produkte kozmetikë, shtëpiake si dhe ilaçe, ndërkohë qe burrat kanë preferuar të shpenzojnë parat e tyre në pajisje elektronike.