“Shqiptarët do marshojnë në urën e Ibrit”, Kurti: Vuçiq po nxit frikë. KFOR: S’do hezitojmë nëse rrezikohet siguria
Kryeministri i Kosovës iu është kundërpërgjigjur deklaratave të bëra nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) se Perëndimorët po mbështesin politikën e Albin Kurtit në Veri, lidhur me diskutimet mbi hapjen e urës së Ibrit dhe mbylljes së 9 zyrave postare postës serbe.
Me anë të një postimi në rrjetin social X, Kurti deklaroi se Vuçiq po mundohet me anë të pretendimeve të rreme që të krijojë atmosferë frike dhe të nxisë reagimin e KFOR.
Për Kurtin, këto akuza të rreme, janë pararendëse të një sulmi të planifikuar nga Serbia.
“Me pretendimet e rreme se shqiptarët do të marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti.
Përpos Kryeministrit të Kosovës, edhe misioni i KFOR-it ka bërë me dije se njësitë e tij kanë një prani të përhershme, fikse në urën e Ibrit në Mitrovicë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, në të mirë të të gjitha komuniteteve lokale. Misioni i KFOR ka garantuar se nuk do të hezitojë të trajtojë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, me respekt të plotë për mandatin e Kombeve të Bashkuara.
“Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Të gjitha vendimet në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merren në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së“, thuhet në deklaratë.
/rtsh.al/