Shqiptarët e Preshevës protestojnë të hënën:Të marshojmë për identitet dhe dinjitet!
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se nesër, në orën 18:00, do të zhvillohet protesta e paralajmëruar në Preshevë.
Protesta synon të ngrejë zërin kundër shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga autoritetet serbe.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Lutfiu ka theksuar se kjo marshë është në mbrojtje të të drejtave themelore të shqiptarëve.
“Të gjithë bashkë do të përçojmë zërin e çdo shqiptari të shtypur, diskriminuar, të pasivizuar dhe të shkelur nga Serbia,” ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur kërkesat kryesore të protestës, përfshirë përdorimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe për gjimnazistët shqiptarë dhe njohjen e diplomave të universiteteve të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ai ka bërë thirrje për mundësi të barabarta në punësim për shqiptarët e Luginës.
“Të marshojmë për identitetin dhe dinjitetin tonë. Të dëshmojmë se, edhe përballë apartheidit, shqiptarët e Luginës nuk heshtin, nuk dorëzohen dhe nuk nënshtrohen. Lufta për të drejta, liri dhe barazi do të vazhdojë,” përfundoi Lutfiu.
Kjo është protesta e dytë brenda një muaji kundër shtypjes dhe diskriminimit.
Protesta e cila u mbajt në Bujanoc, muajin gusht, u thirr nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës, ku morën pjesë shqiptarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
Sipas organizatorëve kjo protestë, u organizua si përgjigje për politikat diskriminuese dhe trajtimi i pabarabartë që shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë prej vitesh.