Shqiptarja në “La Scala” me këngën “Kroi i fshatit tonë”, ja vlerësimi që mori
Sopranoja shqiptare Anjeza Marku mbrojti temën e diplomës në Konservatorin e Torinos me këngën shqiptare “Kroi i fshatit tonë” me të cilën u vlerësua maksimalisht.
Për emisionin “Jetë shqiptare”, ajo tregon se zgjodhi këtë pjesë të veçantë nga folklori me qëllim për të treguar bukuritë dhe veçantitë e vendit.
Po ashtu, Marku shprehet se nuk është hera e parë që këndon shqip ndërsa thekson se gjithmonë është pëlqyer nga juria.
“Ka qenë zgjedhja ime, por dhe inkurajim nga mësuesja pasi gjithmonë më ka thënë që nëse këndoj pjesë nga vendi jot do ta kesh më të lehtë të tregosh veten dhe lidhjet me të kaluarën. Duke qenë se edhe tema e diplomës ishte për folklorin ndaj ishte zgjedhje e duhur.
Nuk është hera e parë që këndoj shqip, më ka ndihmuar të heq emocionet, por edhe të lë një ndikim në komision.
Lidhur me performancën mora vlerësim maksimal. Besoj që ka ndikuar edhe impakti që kam lënë në komision si pasojë e pjesës që kam zgjedhur.
Komisioni e pëlqen muzikën tonë, pasi sa herë performoj më komplimentojnë për muzikën. Gjithmonë sjell nga pak nga muzika ime pasi do të doja të ndryshoja edhe pak atë mendimin mbi shqiptarët”, tha sopranoja shqiptare.