Shqyrtimi i kërkesës për arrestimin e tij, Berisha: Antikushtetues, beteja nis sot në rrugë
Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi kërkesën e SPAK për arrestimin e tij dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si shkelje të Kushtetutës.
Sipas Berishës, kjo është shpallje e Parlamentit si zyrë amnistie për aktet e paligjshme.
“Sot njësoj si në diktaturë, prokurorët mercenarë paraqitën në Komisionin e Mandateve të Parlamentit, pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbët nenin 73 dhe 38 të Kushtetutës, ata paraqiten si gardë preteriane mbi Parlamentin, kushtetutën për të kërkuar jo vendosjen e masave siç kërkon kushtetuta, por legjitimimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e këtij vendimi, jo se kanë ndryshuar se në akuzë janë zero, por sepse unë kundërshtova këtë vendim si një element të puçit të shtetit brenda shtetit të Edi Ramës.
Sot, këta prokurorë paraqitën në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat tyre me urdhër politik Kushtetutën e vendit, gjë që s’mund ta bëjë kurrë askush tjetër përveç Parlamentit dhe sovranit të popullit me Kushtetutë.
Sot pra, ata shkojnë si përfaqësues të Edi Ramës mbi Kushtetutën dhe Parlamentin me qëllim për ti dhënë një zgjidhje ligjore që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar i PD iu adresua GJK-së për të mbrojtur pushtetin e Parlamentit, imuniteti nuk është mbrojtje për deputetin, por për parlamentin dhe funksionimin e tij.
Në këto rrethana, Rama dhe larot e tij vrapuan drejt Parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese, me masat më të rënda arrestin me burg ose arrest shtëpie.
Kjo është shpallja e Parlamenti, zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie”, tha Berisha. Ky i fundit theksoi se nuk ka pranuar të ishte pjesë e mbledhjes së Këhsillit për Imunitetin pasi nuk mund të pranonte poshtërimin publik që po i bëhet institucionit të Kuvendit.
“Ndaj unë sot nuk mund të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit që me Kushtetutë është institucioni qendror i Republikës Parlamentare”, tha ai.
Berisha bëri me dije se sot nis beteja e demokratëve në rrugë, e cila do të transferohet gjithashtu edhe në Parlament.
“Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga Parlamenti në rrugë, do vazhdojë në Parlament.
Do jemi një grup fare modest por do jemi luftëtarët e parë në rrugë, luftëtarë lirie”, u shpreh Berisha.