Shtëpia e Bardhë nuk njofton për ditë me radhë për shtrimin në spital të Sekretarit të Mbrojtjes
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është shtruar në spital që nga e hëna për një problem mjekësor që nuk është bërë publik tha Pentagoni pa dhënë detaje se për çfarë po merrte trajtim apo pse e mbajti të fshehtë qëndrimin e tij në spital gjatë gjithë javës.
Lloyd Austin, është personi i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë e ushtrisë amerikane pas Presidentit Joe Biden që është komandanti i përgjithshëm dhe posti i tij kërkon që të jetë gjithë kohës në dispozicion për t’iu përgjigjur çdo lloj krize të sigurisë kombëtare.
Pentagoni tha se Austin pati “ndërlikime pas një procedure mjekësore të kohëve të fundit”, por nuk pranoi të thoshte se për çfarë procedure dhe ndërlikimesh bëhej fjalë.
“Ai po e merr veten mirë dhe do të rifillojë plotësisht kryerjen e detyrave të postit sot,” tha në një deklaratë gjeneral majori i Forcave Ajrore Patrick Ryder, zëdhënësi i lartë i Pentagonit.
Shoqata e gazetarëve të Pentagonit, në një letër drejtuar zyrtarëve të Pentagonit, kritikoi mbajtjen të fshehtë të lajmit nga ana e Departamentit të Mbrojtjes, duke thënë se Sekretari Austin ishte një figurë publike që në një situatë të tillë është i privuar nga privatësia për një trajtim mjekësor./VOA/