Shtimi i arsenalit bërthamor, Kina: Armët i kemi vetëm për vetëmbrojtje
Pas vlerësimeve të fundit të Uashingtonit, sipas të cilave arsenali atomik i Kinës po zhvillohej shumë më shpejt se sa pritej, deri në atë pikë sa tani ka 500 koka luftarake dhe ndoshta më shumë se 1000 deri në vitin 2030, ka reaguar ministria e jashtme kineze.
Zëdhënësja Mao Ning nuk i mohoi shifrat e përmendura, por theksoi se asnjë vend nuk do të kërcënohej nga armët bërthamore të Pekinit. Programi i armëve bërthamore të Kinës ndjek fuqishëm një strategji vetëmbrojtëse, tha Ning.
“Kina ka mbajtur gjithmonë forcat bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare dhe nuk ka ndërmend të përfshihet në një garë armësh bërthamore me asnjë vend”, shtoi ajo.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze komentoi gjithashtu vendimet e SHBA-së për investime masive në forcimin e forcave të saj bërthamore dhe politikën e saj për të ofruar mbrojtje bërthamore për aleatët jo-bërthamorë, të njohur si ‘parandalim i zgjeruar’, një sistem aleance i pasluftës.