Shtyhet seanca për Berishën në GJKKO, kohë mbrojtjes të njihet me procedimin
Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është shtyrë sërish seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha.
GJKKO me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se, Berisha nuk është paraqitur personalisht, por është përfaqësuar nga dy avokatët mbrojtës.
Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për t’u njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Seanca do të rifillojë sërish në orën 15:00
“Në datën 26.10.2023, ora 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”, thuhet në njoftim.
“Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, av.Jalldiz Kastrati dhe av.Rabije Cenalia. Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për t’u njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar ditën e sotme, në orën 15.00”, thekson Gjykata.