Shuhet Sandra Milo, aktorja-muzë e Felinit që shoqëroi disa breza italianësh
Është shuar në moshën 90-vjeçare, aktorja italiane Sandra Milo.
E njohur për një sërë rolesh që nga viti 1959, Milo u bë shpejt e përzgjedhura e regjisorëve të mëdhenj italianë, si Federiko Felini, Roberto Roselini (o. Rossellini), Antonio Pietranxheli (o. Pietrangeli) e të tjerë.
“Sandrokia” (o. Sandrocchia), siç iu vendos epiteti nga i dashuri i saj, Felini, lindi në Tunizi më 11 mars 1933.
Roli i saj i parë ishte i një prostitute përkrah Vitorio De Sikës (o. Sica) në filmin “Gjenerali Dela Rovere” (o. Il generale Della Rovere). Një rol të ngjashëm luaji nëshoqërinë e Antonio Pietranxhelit, ndërsa më pas si protagoniste me Eduardo De Filipon (o. Filippo), Vitorio Gasman (o. Vittorio Gassman) dhe Marçelo Mastrojani (o. Marcello Mastroianni) në filmin “Fantazma në Romë” (o. Fantasmi a Roma).
Në vitin 1962 iu kthye kinemasë me “Dita më e shkurtër” (o. Il giorno più corto) nga Serxho Korbuçi (o. Sergio Corbucci), ku luaji bashkë me Totonë, Eduardo dhe Pepino De Filipo (o. Peppino De Filippo), Zhan-Pol Belmondo (o. Jean-Paul), Ugo Tonjaci (o. Tognazzi) dhe Aldo Fabrici (o. Fabrizi). Pastaj aktorja takoi Felinin, i cili i vuri emrin “Sandrokia” dhe e bëri protagoniste në dy kryeveprat: “8½” në vitin 1963 dhe “Xhulieta e shpirtrave” (o. Giulietta degli spiriti) në vitin 1965.
Sandra Milo hyri edhe në historinë e televizionit italian për një shaka të famshme gjatë emisionit të mesditës “Dashuria është e mrekullueshme”. Një telefonues anonim i tha gjatë transmetimit direkt se djali i saj ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë pas një aksidenti rrugor. Aktorja nuk i mbajti dot lotët dhe u largua nga studioja duke bërtitur emrin e tij “Çiro, Çiro”. /Ansa