Shuhet Sër Bobi Çarlton
Sër Bobi Çarlton, legjenda e Mançester Junajtid që ishte një figurë kyëe në triumfin e Anglisë në Botërorin e 1966-ës, çshtë ndarë të shtunën nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ai luajti për plot 106 ndeshje me fanellën e përfaqësueses së Anglisë, duke shënuar 49 gola, dy shifra këto që përbën rekord për kohën. Ndërkohë, gjatë karrierës së tij 17-vjeçare me Mançester Junajtid ai u shpall 3 herë “kampion” i Anglisë, fitoi trofeun e Kupës së Kampioneve (sot Ligës së Kampioneve) por dhe trofeun e Kupës së Anglisë (FA Cup).
Familja e Çarltonit bëri të ditur se ai “ndërroi jetë paqësisht në orët e para të mëngjesit së të shtunës, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt”. Ndërkohë, në një deklaratë për shtyp, Mançester Juanjtid deklaroi: “Klubi po vajton ndarjen nga jeta të Sër Bobi Çarltonit, një nga lojtarët më të mëdhenj dhe më të dashur në historinë tonë. Sër Bobi ishte një hero për miliona njerëz, jo vetëm në Mançester apo në Britanin e Madhe, por kudo ku futbolli luhet anembanë globit.
Ai admirohej për sa për sportivitetin dhe integritetin e tij, po aq edhe për cilësitë e spikatura si futbollist. Sër Bobi do të mbahet mend gjithmonë si një nga gjigandët e futbollit”, – theksonte ndër të tjera deklarata e klubit anglez. Bobi Çarlton ishte pjesë e skuadrës që mundi Gjermaninë Perëndimore në finalen e shumëdiskutuar të Botërorit 1966 në mitikun “Uembli”. Në karrierën e tij me Mançester Junajtid, ai luajti 758 ndeshje dhe realizoi 249 gola, rekorde që mbetën në fuqi deri kur u thyen nga Rajën Gigsi në 2008-ën dhe Uejn Runi në 2017-ën. Sër Bobi Çarlton i mbijetoi edhe tragjedisë ajrore të Mynihut në moshën 20-vjeçare, ndërsa u tërhoq nga futbolli i luajtur më 1976-ën.