Shuhet Vehbi Sulejmani – Homazhe në nderim të figurës shumëplanëshe të profesorit
I ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 91- vjeçare, Vehbi Sulejmani, një nga figurat më të spikatura të sportit shkodran, është përcjellë me nderime dhe respekt për në banesën e fundit mesditen e së martës nga komuniteti shkodran.
Në homazhet e kryera në hollin e Prefekturës së Qarkut Shkodër, krahas të tjerëve, kanë qënë edhe përfaqësuesit e zyrës së sportit të Bashkisë Shkodër.
Ndërkohë, me shumë respekt kanë folur për ish- trajnerin e tyre, Vehbi Sulejmani, edhe volejbollistë dhe trajnerë të volejbollit që kanë pasur rastin të bashkëpunojnë me profesorin.
Gjatë karrieres së tij sportive, Vehbi Sulejmani është nderuar si “Trajner i Shekullit” nga Klubi Vllaznia, “Mirënjohja e Qytetit”, “Nderi i Sportit Shkodran” nga Bashkia Shkodër, “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Volejbollit dhe shumë tituj të tjerë.