Shuk Gurakuqi, ish ministri i Financave i dënuar nga regjimi komunist në burgun e Burrelit

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, financierin, ish-ministrin e shtetit shqiptar, Shuk Gurakuqi.
Shuk Gurakuqi lindi në Shkodër (28 mars 1888 – 13 prill 1966) dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Punoi fillimisht si arkëtar në Doganën e Shkodrës, si administrator i disa firmave private në Shkodër dhe gjatë pushtimit austro-hungarez, si shef i Seksionit te Financave në Bashkinë Shkodër.
Gjatë viteve 1920-24, u zgjodh dy herë si deputet i qarkut Shkodër. Njëkohësisht, drejtoi organin e shtypit “Ora e Maleve” bashkë me Patër Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë. Ndonëse nuk mori pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, ai ishte një mbështetës i grupit antizogist dhe për këtë arsye mbeti në ekzil gjatë qeverisjes së Mbretit Zog.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe drejton firmën tregtare “Vllazën Prennushi”.
Në qeverinë e Mustafa Krujës, Shuk Gurakuqi mbajti për dy vjet postin e Ministrit të Financave. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gurakuqi u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special.
Në vitin 1949 dënimi u ul në 20 vjet. Vuajti gjithsej 17 vjet burg, ku pjesën më të madhe e kaloi në burgun famëkeq të Burrelit. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri, duke u marrë me lexime shkencore. Ndërroi jetë më 13 prill 1966 në Shkodër.