Si fitojnë shqiptarët nga borxhi që u merr qeveria
Borxhi që shqiptarët i japin qeverisë për nevojat e saj po shënon rekorde historike.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit qershor individët, në çdo 100 pjesë të instrumenteve të borxhit të brendshëm të emetuar nga qeveria, zotëronin rreth 21.
Në vlerë absolute, shuma e borxhit të financuar nga individët vlerësohet të ketë arritur në 155 miliardë lekë ose në rritje me 15 miliardë lekë më shumë, krahasuar me fundin e vitit 2022.
A fitohet më shumë duke shituar kursimet e tua për qeverinë?
Të dhënat tregojnë se investimet e individëve në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare janë rritur me ritme më të ngadalta. Në gjysmën e parë të 2023 ka një frenim të interesit të individëve për të investuar për borxhin e qeverisë shqiptare.
Ndryshe ka qenë në 2022.
Banka e Shqipërisë e rriti normën e interesit pesë herë brenda vitit dhe duke e çuar atë nga 0.5% në 2.75%.
Kjo rritje u bë shumë më tërheqëse për kursimet e shqiptarëve. Një pjesë e depozituesve i tërhoqën paratë e depozituara dhe i investuan në bono edhe obligacione, në kërkim të fitmeve më të larta.
E njëjta gjë edhe me fondet e invetimeve. Shqiptarët po i shisnin kuotat në fondet e investimeve, pasi interesat pësuan një goditje të fortë. Vlera e aseteve të fondeve u zvogëluan me rreth 47% vitin e kaluar.
Për të siguruar fitime më të larta nga kursimet e tyre në vite, depozituesit shqiptarë nuk iu janë drejtuar vetëm depozitave, por edhe fondeve të investimeve apo edhe instrumenteve të borxhit të qeverisë.