Si mbështetet rinia? Ministrja Bora Muzhaqi zbulon strategjinë kombëtare dhe si do ndalet emigrimi
Emigrimi i të rinjve jashtë vendit mbetet një sfidë për qeverinë shqiptare, e cila ka projektuar një strategji të mirëfilltë për perspektivën e tyre brenda Shqipërisë.
Në studion e “Ekspres”, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, foli për programe konkrete që janë vënë në praktikë dhe kanë sjellë rezultate në edukimin e “trurit” rinor.
“Për herë të parë kemi një strategji kombëtare për mbështetjen e rinisë. Është për vitet 2022–2029 dhe tregon masat që kemi mundësi t’i zbatojmë dhe për t’i zhvilluar më tej. Kjo strategji ka tre qëllime të gjera, sepse rinia nuk është një fushë vertikale që merret vetëm me diçka: është horizontale dhe prek praktikisht çdo fushë të jetës. Komponenti i parë është fuqizimi i të rinjve, pra gjithë angazhimi i tyre qoftë në politikëbërje, qoftë në vendimmarrje për qytetin e tyre apo nivel kombëtar. komponenti i dytë është punësimi dhe inovacioni, të ndërthurura së bashku për të siguruar një nivel më të lartë të të rinjve të punësuar me paga të denja. Këtu futet programi i kodimit, i praktikave të punës. Dhe e treta është mirëqenia, qoftë në aspektin shëndetësor, në aspektin fizik, në aspektin mendor, por edhe në fusha të tjera, si sporti,” tha ministrja Buzhaqi.
Por pse vjen vonë një strategji e tillë, duke ditur rëndësinë që ka rinia për të ardhmen e një vendi.
“Rinia, duke qenë një targetgrup dhe jo fushë specifike, si për shembull infrastruktura, nuk ka pasur një institucion të dedikuar. Në momentin kur u krijua Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët menduam se duhet të kishte një qasje pak më të drejtpërdrejtë edhe për të targetuar problematikat apo sfidat që të rinjtë kishin. Kjo strategji nuk ka ardhur nga zyrat e administratës, por nga një proces shumë i gjerë konsultimi me të rinjtë për nevojat e tyre dhe si t’i adresojmë ato,” shtoi ministrja e shtetit.
Ministria për Rininë dhe Fëmijët nuk e ka mbajtur fokusin e programeve vetëm në Tiranë, por ka rritur mbështetjen edhe në qytetet e tjera.
“Një nga projektet ofronte komponentin e praktikës me artizanatin. Ka ndodhur në qarkun e Elbasanit. Fokusi i një projekti ishte që t’i çonte të rinjtë pranë një zanati të vjetër që të mos humbasë. Në fund fare i ofrohej edhe një praktikë tremujore pranë zotërisë apo zonjës që merrej me të, për të mësuar dhe për të hapur një biznes në këtë fushë. Kuptuam që të rinjtë nuk ishin aq larg zejeve sa ç’mendonim,” tha znjsh. Buzhaqi.
Sporti është nga programet që ka pasur “më shumë duk”, por për ministren Buzhaqi, një sukses ka rezultuar edhe programi për edukim jashtë orarit mësimor.
“E kemi filluar në janar–qershor të vitit të shkuar në 200 shkolla. Kishim praktikisht 1 mijë kurse të ndryshme nga arti, teatri, muzika, por edhe zejet, qëndisjet, gurpunimi sipas zonës, teknologji, agrikulturë, por edhe vetëmbrojtjen. Mendojmë se duhet të investojmë më tepër te programi, sepse të rinjtë e pëlqyen shumë, si edhe prindërit. Fëmijët ndenjën pak më gjatë në shkollë, duke ua bërë pak më të lehtë jetën prindërve për të mos i marrë nga shkollat, por për t’i pasur në një ambient të sigurt,” u shpreh ministrja Buzhaqi.