“Siguria detare”, bllokohen 27 jet ski, skafe dhe gomone nga Ksamili në Velipojë
Përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE” vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.Nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 27 mjete lundruese. Mjetet e bllokuara: 18 jet ski, 4 skafë dhe 5 gomone. 12 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 11 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 4 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë. 5 prej mjeteve lundruese të bllokuara, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili, me masë administrative 100 000 lekë. Drejtuesit e 22 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masë administrative 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni. Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 9 raste duke ndihmuar dhe shpëtuar 11 shtetas që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.