Siguria Kombëtare- Kosova dhe korrupsioni, Basha çon në Kuvend 2 amendamente
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha depozitoi të mërkurën në Kuvend, amendamentin për disa ndryshime në projektligjin për strategjinë e sigurisë kombëtare të Shqipërisë.
Basha propozon që në këtë dokument të përfshihet edhe mbështetja nga Shqipëria për Kosovën, në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.
Ndërsa propozimi tjetër lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen nga korrupsioni në nivele të larta.
Për këtë, kryetari i PD propozon përfshirjen në strategjinë e sigurisë kombëtare të fuqizimit të bazës ligjore dhe instrumenteve të kontrollit të integritetit të figurës së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.
“Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Përpjekja për të inskenuar tensione permanente në disa vende të rajonit dhe në veçanti infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, tregojnë qartë për një strategji de-stabilizimi dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s”, thuhet në relacionin që shoqëron draft amendamentin e tij të depozituar në Kuvend.
Sipas Bashës, mbrojtja dhe siguria e integritetit territorial, kapaciteteve të sigurisë dhe funksionimit të institucioneve demokratike të Kosovës, janë përparësi të sigurisë kombëtare të Shqipërisë, që burojnë jo vetëm nga detyrimi kushtetues, por edhe në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për të siguruar, paqe, stabilitet dhe rritje të bashkëpunimit në rajonin tonë drejt së ardhmes dhe vlerave euro-atlantike.
“Në vijim të frymës së parimeve të parashtruara më lartë, Republika e Shqipërisë duhet të japë një kontribut real aktiv ndaj Republikës së Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit duke filluar nga viti 2024. Ky kontribut aktiv financiar i Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës duhet të ofrohet me qëllimin rritjen e kapaciteteve të saj të sigurisë për të penguar me çdo kusht aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndëretnike për të influencuar zhvillimet e brendshme politike, dhe amplifikuar problematikat ekzistuese me qëllim de-stabilizimin e rajonit dhe përkeqësimin e parametrave të sigurisë”, thekson Basha në relacion.
Propozimi i dytë lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen, sipas tij, nga korrupsioni në nivele të larta.
“Korrupsioni përbën një kërcënim të qartë dhe të pranishëm ndaj sigurisë kombëtare dhe kërkon një përgjigje në përputhje me frymën dhe vendimet e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.”, thekson Basha.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare” dhe se integriteti i zyrtarëve të lartë publikë është parakusht për një qeverisje demokratike dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Fakte dhe të dhëna të bëra publike gjatë viteve të fundit provojnë se korrupsioni në nivele të larta, dhe bashkëpunimi mes zyrtarëve të lartë publikë dhe krimit të organizuar është në nivele shqetësuese duke rrezikuar funksionimin normal të shtetit dhe cënuar sigurinë kombëtare. Pavarësisht zhvillimeve të fundit në fushën e drejtësisë penale korrupsioni mbetet i theksuar dhe ka një ndjesi të publike të pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve publikë. Fuqizimi i bazës ligjore dhe instrumenteve të kontrollit të integritetit të figurës në politikë dhe qeverisje ndihmojnë luftën kundër korrupsionit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti forcimit të sigurisë kombëtare“, shprehet Basha në argumentet me të cilat ka shoqëruar amendamentin e tij.
Tashmë ky amendament është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të kalojë për shqyrtim së bashku me Strategjinë e Siguria Kombëtare.