Siguria në Europë/ Ambasadori gjerman dhe i BE-së: Ndihmë Shqipërisë për integrimin
Gjermania është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e tyre, për të përshpejtuar integrimin në BE-në.
Kjo deklaratë u bë në Tiranë nga ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, gjatë tryezës me temë: “Procesi i Berlinit në Sfondin e ri të Sigurisë në Europë”, organizuar nga Instituti “Fredrich Ebert Stiftung”
“Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të Gjermanisë thekson domosdoshmërinë e përshpejtimit të të procesit të anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo që duhet theksuar dhe mbështetur më shumë është integrimi rajonal. Gjermania është e gatshme të mbështesë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të zhvillohen, e të jenë të gatshëm për anëtarësim për në BE”, u shpreh Bergner.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luixhi Soreka (Luigi Soreca) tha se BE është e angazhuar për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kriza shndërrohen gjithnjë në mundësi. Asnjëherë nuk kam dëgjuar të flitet kaq shumë për zgjerimin, se sa vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti. Arsyeja është pashmangshmërisht e lidhur me faktin se një përmasë e re e sigurisë është hedhur në tavolinë. Ne diskutojmë begatinë, konvergjencën në nivel ekonomik, por zgjerimi në rajon është dhe kërkesë sigurie, për të garantuar që rajoni të jetë i qëndrueshëm”, tha Soreka.
Një vështrim i detajuar e ecurisë së kësaj nisme ishin pjesë e një dokumenti analitik të hartuar nga ish- ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe dy ekspertë të tjerë Albana Merja dhe Glevin Dervishi.