Siguria në plazhe, gjatë një jave bllokohen 34 mjete lundruese nga Ksamili në Velipojë
Gjatë kësaj jave nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 34 mjete lundruese.Mjetet e bllokuara janë 24 jet ski, 6 skafë dhe 4 gomone. 25 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë.7 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin. 2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.10 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative 100 000 lekë.Drejtuesit e 24 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative 10 000 lekë për mungesë dokumentacioni.Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 4 raste, që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese të zbatojnë me rigorozitet rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.Njëkohësisht, Policia Kufitare fton pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare, apo të masave të sigurisë gjatë udhëtimeve turistike në zonat bregdetare liqenore dhe lumore, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm.