Siguria ushqimore, AKU: 1807 inspektime dhe 64 masa paralajmëruese
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer në shkallë vendi mbi 1807 inspektime në subjekte të ndryshme tregtare gjatë periudhës 4-10 shtator.
Sipas AKU-së, 503 inspektime janë kryer në pikat e kalimit kufitar, nga ku janë marrë dhe 143 mostra për analiza laboratorike.
Nga kontrollet e kryera, janë asgjësuar 54 kg produkte që kanë rezultuar jashtë standardeve për konsum, ndërsa janë bllokuar 227 kg produkte të tjera për mungesë dokumentacioni.
Për shkeljet e konstatuara AKU ka vendosur 9 masa administrative gjobë në vlerën 720 000 lekë, si dhe ka dhënë 64 masa administrative paralajmërime për mangësitë e evidentuara.
Gjithashtu AKU ka marrë një masë administrative për ndërprerje aktiviteti, pasi është evidentuar mungesë e kushteve higjeno sanitare.
AKU i bën apel subjekteve të respektojnë standardet dhe rregullat e sigurisë ushqimore, teksa njofton se vijon intensifikimi i kontrolleve në këtë sezon me fluks të shtuar vizitorësh në vendin tonë dhe rritje të konsumit të ushqimit në tregje.