Siguria ushqimore, shtohen kontrollet në subjektet që tregtojnë pranë shkollave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka shtuar kontrollet tek subjektet që ofrojnë ushqime pranë shkollave. Çdo javë grupet e taskëforcë-s kontrollojnë fast food-et për të mbrojtur fëmijët. AKU ka bllokuar aktivitetin e 30 subjekteve për shkelje të ndryshme, ndërsa nga janari në korrik ka arkëtuar 70 milionë lekë gjoba
Ushqimi i shpejtë është I preferuar për nxënësit dhe në pushimet mes orëve, ata nxitojnë të blejnë diçka. Por a janë të sigurta produktet që nxënësit blejnë pranë njësive tregtare në afërsi të shkollave? Autoriteti Kombëtar I Ushqimit (AKU) po punon me një paketë të posaçme lidhur me këtë.
“Jemi të angazhuar që prej datës 1 shtator për të verifikuar të gjithë operatorët që operojnë jo vetëm brenda shkollave, çerdheve, kopshteve por edhe rreth një perimetri me rreze 1 km”, thotë Jeta Deda, drejtore e AKU.
Por ka edhe fëmijë që preferojnë ushqimin e shtëpisë.
”Personalisht unë preferoj ta marrë nga shtëpia, sepse është më i shëndetshëm dhe i besoj me shumë”, thonë nxënësit.
Kontrollet ushqimor gjatë sezonit turistik nga AKU kanë qenë më intensive, për kushtet higjeno-sanitare dhe afatet e skadencës së produkteve
“Këtë vit ka qenë një vëmendje e shtuar për sa i përket pjesës së sezonit turistik duke qenë se ka pasur një fluks të shtuar turistësh që do të thotë konsumi është shtuar”, tha Jeta Deda, drejtore e AKU.
AKU ka bllokuar aktivitetin e 30 subjekteve për shkelje të ndryshme, ndërsa nga janari në korrik ka arkëtuar 70 milionë lekë gjoba.