Sigurimi i detyrueshëm, Mimoza Hajdarmataj: Vlera pritet të jetë e ulët, rreth 20–30 euro/vit
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, bëri me dije sot (18 tetor) se po shqyrtohen opsione për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet.
Pikërisht sigurimi i detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore u diskutua edhe në studion e emisionit “Ekspres” në RTSH, ku e ftuar ishte Mimoza Hajdarmataj, sekretarja e përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.
Hajdarmataj u shpreh se sigurimi i detyrueshëm është një domosdoshmëri në ditët e sotme, teksa theksoi se vlera vjetore që duhet paguar nga qytetarët pritet të jetë e ulët.
Ajo përmendi një vlerë rreth 20 deri në 30 euro në vit, kjo për shkak se sigurimi i detyrueshëm garanton një numër të lartë kontributorësh, që çon në uljen e vlerës për t’u paguar.
“Tregu i sigurimeve është një treg i konsoliduar, qoftë për të ofruar produkte dhe treguan edhe një stabilitet ekonomik. Ishte 40 mln euro fatura financiare që kompanitë e sigurimit paguan pas tërmeteve të vitit 2019 për ata që ishin të siguruar. Pra ekziston si produkt. Më pas është klienti që zgjedh nga se do ta sigurojë pronën, nga vjedhjet, nga zjarret, pjesë janë edhe sigurimi nga tërmetet. Këto quhen klasa që konsumatori i shton. Deri më sot ka qenë i njëjti çmim përllogaritje si në vendet e tjera që është 1 për mijë. Pra nëse siguron një pronë që kushton 100 mijë euro, diku te 100 euro është primi i sigurimit. Kjo skema që qeveria po elaboron, është e miksuar edhe si skemë sociale. Duke pas një numër të madh kontributorësh në skemë, do ketë ulje çmimi. Mendojmë që qeveria diku te 20-30 euro mund ta nxjerri si produkt në vit, por të shohim,” u shpreh ajo.
Hajdarmataj nuk la pa kritikuar faktin se, sipas konceptit të tanishëm, ky akt vjen në formë monopoli, pra e merr përsipër qeveria për ta bërë.
“Ajo që tregut të sigurimeve nuk i pëlqen është që është i atakueshëm sa i përket përjashtimit që i ka bërë tregut të sigurimeve. Ndërkohë që kemi një treg të liberalizuar, kemi 8 kompani që operojnë në treg, me performancë të vlerësuar. Ndërkohë ky akt vjen në formë të një monopoli, e merr përsipër qeveria për ta bërë, deri tani të paktën sepse është ende në konsultim,” deklaroi znj. Hajdarmataj.