Sigurimi i detyrueshëm për tërmetet/ Shoqata e Ndërtuesve: Kemi ende disa paqartësi
Projektligji, që synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga tërmeti duhet të jetë në vullnet të qytetarëve nuk mund të bëhet i detyrueshëm për kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve, Erion Harizi.
Pasi sipas tij jo të gjitha zonat në vend kanë të njejtën rrezikshmëri nga kjo ngjarje natyrore.
Gjithashtu për Harizin duhet të jetë më e qartë në ligj se kur fillon pagesa për pallatet e reja për të cilat tashmë ndërtuesi paguan sigurim të detyrueshëm nga tërmeti për 10 vite radhazi.
“Sektori i ndërtimit ka rreth 3 vjet që paguan një sigurim të detyrueshëm me një afat 10-vjeçar. Duhet të qartësohet se kur fillon pagimi nga një qytetar dhe ku mbaron VKM-ja që paguan ndërtuesi”, u shpreh Harizi.
Detyrimi për sigurim i cili në projektligj nuk është vetëm për banesat, për Harizin është një projektligj që vjen nga lobimi i bërë nga kompanitë e sigurimit.
“Mendoj se është një projektligj që ka si bazë agjentët e sigurimeve në Shqipëri”, shton ai.
Në projektligjin i cili është në proces konsultimi publik është specifikuar edhe që qytetarët, të cilët nuk do paguajnë, rrezikojnë që t’u ndërpriten shërbimet, si e-albania, Qendra Kombëtare e Biznesit apo dhe shërbimet kadastrale.