Silvinjo, një sukses shumëgjuhësh

Silvinjo 4

Silvinjo 4

Trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo, vijon të jetë një personazh në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare dhe, së fundmi, është rrjeti i njohur ndërkombëtar, ESPN, nëpërmjet degës së tij në Brazil, që ka realizuar një intervistë interesante me njeriun që udhëhoqi Shqipërinë drejt fazës finale të “Euro 2024”-ës.

“Presidenti i Federatës, Armand Duka, ishte në Milano dhe, përmes një miku të përbashkët, më ftoi për darkë”, – ka rrëfyer braziliani, duke zbuluar hollësi interesante për takimin e parë me kreun e organizmit që qeveris futbollin shqiptar në muajt e fundit të 2022-shit. “Unë jetoja në Porto me familjen time, kështu që shkova në Milano dhe kaluam një mbrëmje të këndshme dhe patëm një bisedë të frytshme”, – ka pohuar ai, duke vijuar: “Nuk e prisja, në fakt, sepse isha përgatitur të flisnim në anglisht, por biseda u bë në italisht. Por pastaj e kuptova, gjatë procesit të zyrtarizimit, në 7 deri në 10 ditët që vijuan, se në FSHF flitej anglisht po aq sa edhe italisht.” Dhe që nga ai takim i parë Silvinjo kishte nisur të mendonte të zhvendosej në Tiranë, një qytet me mbi 900,000 banorë dhe më i vogël se zona lindore e São Paulos, ku ai kishte luajtur për Korinthiansin.

Fëmijët e tij ishin tashmë në kolegj dhe bashkëshortja vijon të jetojë në Porto. Por trajneri e ndjeu se ishte thelbësore për të që përjetojë jetën e përditshme të vendit dhe vetë Federatës, në mënyrë që të përfshihej plotësisht dhe të rrokte më së miri atë që ishte realiteti i tij i ri. Në fakt, Silvinjo zbulon se vendimi për të jetuar në Tiranë e gjeti të papërgatitur dhe e habiti edhe presidentin e FSHF-së, ndërsa artikulli i ESPN-it veçon faktin se një nga faktorët e suksesit të trajnerit brazilian në stolin kuqezi është edhe fakti se flet disa gjuhë. Ai flet portugalisht, spanjisht, anglisht dhe italisht, ndërsa ka nisur të bëjë hapat e parë në gjuhën shqipe. Madje, ai këmbëngul që gjithmonë, bisedën e fundit para çdo ndeshjeje, ta bëjë nëpërmjet një personi që flet shqip, që zakonisht është Ervin Bulku apo Hamdi Salihi. Tashmë vështrimi është hedhur drejt Gjermanisë, aty ku historia e pret brazilianin dhe Shqipërinë e tij.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.