Sindi Manushi tregon për “Mirëmëngjesi Shqipëri” si arriti të zgjidhej Kryebashkiakja e parë shqiptare në Itali
Sindi Manushi, Kryetarja e Bashkisë Pieve di Cadore, në Itali, ka rrëfyer në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” rrugëtimin e saj, që kulmoi në fitore.
Manushi u shpreh se nuk e priste që të zgjidhej si kryebashkiakja e parë shqiptare në Itali, kjo për faktin e origjinës së saj, dhe vendit ku ajo garonte, që mbizotërohej nga konservatorizmi.
Por asi nën mëngë i Manushit duke se ishte pikërishr fakti që nuk bëri premtime të cilat sikurse tha ajo “e dinim që s’do i mbanim dot”.
Paraqitja e vizionit dhe fakti që qyteza në të cilën garonte ishte e vogël dhe ajo njihej me të gjithë qytetarët, i dha shumë pikë për fitoren.
“Nuk ishte e pritshme. Shumë faktor të çojnë të mendosh se s’do ja dilja, se jam femër, e re, shqiptare, i kisha “të gjitha të zezat” për një vend malor ku e djathta mbizotëron e njerëzit janë shumë konservator. Mua më ndihmoi fakti që qyteza është e vogël dhe njerëzit njihen personalisht”, tha Manushi teksa rrëfeu më tej se është përballur me disa episode racizmi në Itali.
“Nuk ka patur episod kritik. Por nja dy episode racizmi dhe i prisja të ndodhnin. Vetë shoqëria këtu reagoi në mënyrë të tillë që të mos kisha nevojë t’u përgjigjesha këtyre sulmeve.
Ka qenë e vështirë, por në normalitet. Këto ditë isha në Shqipëri dhe më pyesnin se si u bëre kryetare bashkie? Përgjigja ime ishte: me zgjedhje të lira. Fushatat elektorale janë të vështira. Duhet shumë kohë, duhet të marrësh parasysh komunikimin.
Por nuk kam patur probleme të tjera.
Vetëm nuk do shkoja askund, por me skuadrën bëmë një fushatë të thjeshtë, pa premtime që e dinim që s’do i mbanim. Paraqitëm vizionin tonë”, tha ajo.