Sindikata e Arsimit reagon për dhunën në shkolla/ Kryesindikalisti Arian Peraj: Shqetësues mbetet edhe fakti i drogave në shkolla
Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shkodër, ka reaguar në lidhje me ngjarjen që ndodhi dy ditë më parë në Lezhë, ku një nxënës 16 vjeçar, goditi me karrige mësuesen e matematikës. Zëvëndës Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar njëherësh Kryetari i kësaj sindikate për qarkun e Shkodrës Arian Peraj ndërsa dënon aktin e dhunës ndaj një arsimtari, thotë se figura e mësuesit e ka humbur vlerësimin në këto vite. Një fenomen shumë shqetësues për sindikatën e arsimit është konsumimi dhe shitja e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe për këtë Peraj ka përshëndetur megaoperacionet e policisë në shkollat e Shkodrës për goditjen e këtyre rasteve.Për të zgjidhur këtë problematikë që nisjen e ka në zhvlerësimin e figurës së mësuesit, sindikata e arsimit kërkon edhe mbështetjen e prindërve që në shumë raste iu dalin në krah fëmijëve të tyre edhe pa të drejtë.