Bota

Siri, përplasje mes forcave të mbështetura nga SHBA dhe forcave të mbështetura nga Irani

Luftime të reja filluan të premten mes Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe forcave qeveritare siriane të mbështetura nga Irani, në provincën lindore Deir el-Zour, raportuan një organizatë për monitorimin e luftës dhe burime lokale.

Luftimet filluan kur forcat qeveritare siriane dhe grupet paraushtarake që i mbështesin, nisën sulme me mortaja ndaj pozicioneve që i përkisnin Forcave Demokratike Siriane (SDF), sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani.

Kontrolli i Deir el-Zourit është i ndarë mes dy palëve. SDF-ja ka nën kontroll anën lindore të lumit Eufrat, ndërsa ana perëndimore kontrollohet nga forcat qeveritare siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani. Irani ka qenë një mbështetës i vendosur i forcave qeveritare siriane, që nga fillimi i konfliktit në këtë vend në vitin 2011.

Provinca Deir el-Zour ishte një bastion i madh për grupin terrorist Shteti Islamik deri në vitin 2019, kur forcat e SDF-së, të ndihmuara nga një koalicion global i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i dhanë fund të ashtuquajturit kalifat të ISIS-it në Sirinë lindore.

Javët e fundit ka pasur një rritje të konfrontimeve mes palëve. Në gusht, një grup paraushtarak i qeverisë siriane, i quajtur Forcat e Mbrojtjes Kombëtare, kreu një sulm në pjesët e kontrolluara nga SDF në Deir el-Zour, duke vrarë disa civilë, sipas njoftimeve të mediave lokale. Në përgjigje, SDF-ja filloi një sulm të madh, duke vrarë të paktën 20 ushtarë të qeverisë.

SDF-ja është një aleancë ushtarake e udhëhequr nga kurdët, që ka qenë një partner kryesor i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS). Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar grupet e mbetura nga ISIS-i, Shtetet e Bashkuara mbajnë të dislokuar rreth 900 ushtarakë në Sirinë verilindore, përfshirë në Deir el-Zour citon VOA.

Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Gazë në tetor 2023, bazat që strehojnë forcat amerikane dhe të koalicionit në Sirinë lindore janë sulmuar me dhjetëra herë nga milicitë e mbështetura nga Irani.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Moti i kthjellët në të gjithë territorin e vendit

Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti do…

5 hours ago

Hoqi dorë nga “Giro d’Italia 2025”, Vingegard shpjegon motivet pas vendimit

“Giro d’Italia 2025” ka humbur njërin prej atyre çiklistëve, të cilët nëse do të garonin…

5 hours ago

Vllaznia-Egnatia në RTSH, Tetova: I kënaqur nga merkato, jemi ndërtuar për të fituar dy trofetë

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë,…

5 hours ago

Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2024”, njihuni me të nominuarit

Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2024”, organizuar nga FSHF, do të vlerësojë protagonistët kryesorë të…

5 hours ago

Plani strategjik 2025-2030, Spiropali: Synojmë Kuvend me standardet e një vendi anëtar të BE-së

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi të premten një analizë pune për shqyrtimin e draftit të Planit…

5 hours ago

Vengu mbledh atashetë ushtarakë: Bashkëpunim me aleatët në industrinë e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot në një takim me Atashetë Ushtarakë të Republikës…

5 hours ago

This website uses cookies.