Situata e motit, shiu i lë vendin borës – Të bllokuara disa akse rrugore, shumë fshatra pa energji elektrike
Këtë të shtunë, Shkodra u zgjua me mot të mire, por me ulje temperaturash në qytet dhe në zonat malore.
Megjithatë situata e mbartur, si pasojë e motit të keq të ditëve të fundit, vazhdon të shfaqë probleme në disa rrugë rurale si dhe me mungesë të theksuar të energjisë në disa fshtatra.
Në DRV Shkodër, akset rrugore që mbulon kjo drejtori janë të qarkullueshme.
Gjatë mbrëmjes ka patur rënie inertesh, por janë pastruar nga kontraktorët.
Nga Bashkia Shkodër vijon i bllokuar aksin rrugor Prekal- Kir.
Aksi rrugor Breg Lumi – Theth është pastruar nga inertet dhe është i qarkullueshëm që në mëngjes.
Kanali i Centralit Ndërlysaj është mbushur me inerte dhe është jashtë funksionit.
Në zonat malore të kësaj bashkie ka mungesë të energjisë elektrike.
Në bashkinë Malësi e Madhe, gjatë mbrëmjes së djeshme është dëmtuar rruga fshatit Kamicë si pasojë e vërshimit të Përroit të Thatë.
Në bashkinë Vau Dejës mungon energjia në të gjitha fshatrat e njësisë administrative Vig Mnelë. Probleme të tjera nuk raportohen për këtë bashki.
Në bashkinë Fushë Arrëz vijojnë reshjet e shiut dhe erë me intensitet të lartë. Ka ndërprerje të energjisë elektrike në njësite administrative Iballë, Fierzë dhe Blerim. Qarkullimi në rrugët kryesore vijon, por ka prezencë uji dhe gurësh. Aksi rrugor Gjegjan – Shpal në rreth 40 % është i bllokuar.