Situata në veri të Kosovës- EULEX dërgon ekip të specializuar për këshillimin e policisë në komunat me shumicë serbe
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka dërguar një ekip të specializuar me gjashtë këshilltarë policorë në stacionet e policisë në veri të Kosovës, të cilët do të këshillojnë forcat e zbatimit të ligjit përsa i përket përmbushjes sa më mirë të aktiviteteve të tyre në situata të parandalimit dhe luftimit të krimit, si dhe të garantimit të sigurisë, duke monitoruar gjithashtu përmbushjen e detyrimeve të policisë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut.
Ky ekip do të qëndrojë në veri fillimisht për një periudhë dymujore, por ekziston mundësia për shtyrjen e këtij afati derisa misioni i BE-së të jetë i bindur se ka krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri.
Që nga fundi i majit, situata ka qenë e tensionuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, që dolën nga zgjedhjet e prillit që u bojkotuan nga serbët.
Tensionet arritën kulmin kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku si pasojë mbeti i vrarë oficeri I policisë Afrim Bunjaku.