Situata në veri të Kosovës, Stoltenberg: Autorizuam trupa shtesë për KFOR-in
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë me dije se kanë autorizuar shtimin e numrit të forcave për KFOR-in në Kosovë.
Këshilli i Atlantikut të Veriut u takua sot (29 shtator) për të diskutuar situatën në Kosovë, ku u shpreh shqetësimi për tensionet në rritje në veri. Në deklaratën e tij, Stoltenberg shprehu gatishmërinë për të bërë edhe rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it në Kosovë, sipas nevojës.
“Misioni KFOR i NATO-s mban një prani të dukshme në mbarë Kosovën. Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale.
Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, u shpreh Stoltenberg.
Ai bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësur nga BE, duke e konsideruar si të vetmen zgjidhje për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.
“KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, përfundoi deklaratën Stolteberg.