Situata te Vllaznia volejboll femra / Ndërhyrja e Bashkisë dhe donatorëve, garantojnë vazhdimin e punës
Problematika e shfaqur në ekipin e Vllaznisë të volejbollit për femra në lidhje me largimet në skuadër dhe pamundësinë financiare për riorganizimin e periudhës në vazhdim të vitit 2024, duket se ka marrë rrugën e duhur të zgjidhjes. Takimet që trajnerja Nora Deda ka bërë në institucionin e Bashkisë Shkodër, por edhe me donatorë të tjerë, pritet të garantojnë vazhdimësinë e konkurimit normal në garën e Kampionatit Kombëtar të Superligës së volejbollit femra. Në prononcimin e para pak ditëve, trajnerja Nora Deda bëri të ditur se në seancat e para stërvitore të janarit të këtij viti, kontigjenti i volejbollisteve është më i kufizuar se kurrë, me vetëm 7 volejbolliste, ku një pjesë e tyre është e moshës së re 16 vjeçare. Në të tilla kushte, deri në zgjidhjen e problemit të vazhdimësisë apo jo të presidences aktuale, bëhet e ditur se zyra e sportit pranë Bashkisë Shkodër ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve për nevojat e përballimit të përfaqësimit të ekipit në fazën e dytë. Por, përpos kësaj, në mbështetje të trajneres Nora Deda dhe ekipit kuqeblu kanë dalë edhe dashamirës të sportit shkodran. Në krye të kësaj lëzivje është vënë grupimi i tifozëve “Vllaznia Diasporë”, i cili pasi ka kontaktuar direkt me trajneren Nora Deda, i ka dhënë mbështetjen e duhur në zgjidhjen e këtij problemi.Rasti në fjalë është me të vertetë emocionues. Ndodh vetëm në Shkodër një gjë e tillë, aty ku zemra e të gjithëve rreth kuqeblu. Nismëtarët e një lëvizje të tillë, grupimi “VLLAZNIA DIASPORË” duhen përgëzuar në veçanti, dhe së bashku me to, edhe të gjithë ato tifozë shkodranë dhe dashamirës të sportit, në Shqipëri dhe jashtë saj, që po marrin pjesë në kontributin financiar dhe mbështen morale ndaj ekipit të femrave të volejbollit shkodran.