Skandali i ‘Onkologjikut’, ministrja Koçiu jep sot ‘llogari’ në Kuvend! Opozita me dy kërkesa për interpelancë
Seanca e sotme plenare pritet të zhvillohet me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës pas skandalit të Onkologjikut ku mjekët zhvatnin pacientët me tumor dhe i orientonin në klinikat private. Ministrja e Shëndetësisë do të japë sot ‘llogari’ para deputetëve të opozitës, të cilët janë drejtuar me dy kërkesa për interpelancë, një e grupit të PD dhe një tjetër kërkesë nga deputeti Arbi Agalliu i grupit Basha.
Po ashtu, në Kuvend do mbahet edhe raundi i dytë i votimit për plotësimin e vakancave në KLGJ dhe KLP. Dy kandidatët e dërguar nga Komisioni i Ligjeve në Kuvend për KLGJ janë Erind Mërkuri dhe Albens Tabaku, ndërsa për KLP janë Artan Reci dhe Bedar Bajri. Nëse opozita dhe mazhoranca nuk gjejnë konsensusin për të miratuar vakancat me 84 vota, procesi ripërsëritet me raundin e tretë.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe raportimi për veprimtarinë e vitit 2023 të disa institucioneve, si KQZ, AMF, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.