Skema e granteve për të rinjtë – 6 projektet e përzgjedhura do të financohen nga Bashkia Shkodër
Për herë të parë, Bashkia Shkodër ka lançuar një skemë grantesh për të mbështetur projektet inovatore të të rinjve shkodranë në fushën e biznesit.
Nga 25 projektet e prezantuara, 6 prej tyre janë përzgjedhur për të përfituar financim nga fondi i granteve të Bashkisë.
Sipas drejtuesve të sektorit përkatës në Bashkinë Shkodër, projektet fituese përfshijnë iniciativa në fusha si turizmi, marketingu, çështjet sociale dhe mjedisi.
Një prej projekteve të përzgjedhura është ai që synon të ofrojë asistencë për të miturit me vështirësi në të folur, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Bashkia Shkodër ka theksuar se kjo skemë grantesh do të vazhdojë në të ardhmen për të nxitur sipërmarrjen dhe krijimtarinë mes të rinjve të qytetit.
Skema pritet të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin ekonomik lokal, por edhe në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e angazhuar.