Skema Kombëtare 2024, deri tani 49 mijë fermerë të financuar
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vijon punën për disbursimin e fermerëve përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024.
Sipas AZHBR-së, deri më sot janë 49,000 fermerë të financuar me një fond prej 1,7 miliard lekësh, ndërkohë po vijon intensivisht procesi për kryerjen e pagesave për fermerët e tjerë.
Në Skemën Kombëtare 2024 ofrohet mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fermat organike, certifikimi Global Gap, fara fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore – aromatike, si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Këtë vit fondi për skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi ishte rreth 33 milionë dollarë dhe numri i aplikimeve arriti në më shumë se 71 mijë fermerë.