Skemat e mbështetjes 2025, fokusi në nxitjen e eksportit dhe aftësimi për tregun
Në fletoren zyrtare është publikuar caktimi i masës për mbështetjen me fonde për ndërmarrjet, mikro, të vogla dhe të mesme për vitin 2025.
Së pari bëhet me dije se nuk mund të aplikojnë për të përfituar fonde mbështetjeje ato sipërmarrje të cilat kanë përfituar burime financimi nga donatorë apo institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Skema e mbështetjes financiare për shpenzimet korrente për programin e mbështetjes për zhvillimin ekonomik është në vlerën e 100 milionë lekë, fond i cili mbulon 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 2,5 milionë lekë.
Aplikuesit për përfitimin e fondit duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme, duke pasur në fokus nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive për shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm.
Ndërkohë, mbështetja financiare për zërin “shpenzime kapitale” është në vlerën e 31.830.000 lekë.
Nga ky fond ndahen në vlerën e 21.830.000 lekë për projekte për konkurrueshmërinë, të cilat mbulojnë 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 1,5 milion lekë, si dhe në vlerën 10 milionë lekë, projekte në mbështetje të artizanatit, mbulojnë kostot 100%, por pa kaluar vlerën e 1 milion lekëve.
Fokusi i këtij vendimi është rritja e konkurrueshmërisë për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, rritja e biznesit kreativ, mbështetja e grave sipërmarrëse, implementimi i teknologjive të reja dhe inovacionit etj.
Fondet e mbështetjes vijnë me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Këshillit të Ministrave.