Skenarët e kualifikimit të Shqipërisë
Shqipëria do të kërkojë realizimin e një mision të vështirë, por jo të pamundur, kualifikimin në 16-she në Euro 2024. Fitorja me Spanjën e siguron matematikisht, por edhe një pikë, në varësi të disa rezultateve të tjera.
I vështirë, tepër i vështirë, por jo i pamundur. I tillë është misioni i Shqipërisë për t’u kualifikuar në fazën me eliminim në Euro 2024. Vështirësia nis që kundërshtari i mbrëmjes, Spanja, një kundërshtar që nuk ka nevojë për prezantim. Në rast të një mrekullie, pra fitoreje me Spanjën, që pritet të luajë me formacionin e dytë, Shqipëria kualifikohet, pavarësisht rezultateve të tjera. Në rast fitoreje minimale të Shqipërisë dhe fitoreje të Kroacisë me Italinë me më pak se tre gola diferencë, Shqipëria zë vendin e dytë dhe luan me Zvicrën në raundin tjetër.
Në rast se fitorja shoqërohet me një tjetër rezultat në Itali-Kroaci, atëherë Shqipëria zë vendin e tretë, me katër pikë, dhe kualifikohet si një nga katër të tretat më të mira. Shqipëria mund të kualifikohet edhe në rast barazimi me Spanjën, rezultat më “i lehtë”, por njëherazi edhe më i ndërlikuar për shkak të kombinimeve në ndeshjet e tjera. Së pari, nëse Shqipëria barazon, nuk duhet që Kroacia të fitojë, ndryshe kuqezinjtë dalin të fundit në grup.
Barazimi i Kroacisë mban Shqipërinë në vendin tretë, për shkak të golaverazhit në grup, pasi përballja direkt doli 2-2. Nëse Shqipëria zë vendin e tretë, me 2 pikë, mund dhe duhet që të larë pas të tretat e Grupeve C dhe F.
Në Grupin C, Sllovenia me 2 pikë luan me Anglinë, që nuk është kualifikuar ende. Fitorja e Anglisë e lë Slloveninë me 2 pikë dhe golaverazh më të keq se Shqipëria, në vendin e tretë apo të katërt, në varësi të ndeshjes Danimarkë-Serbi.
Danimarka ka 2 pikë, Serbia 1. Kush fiton, krahas fitores së Anglisë zë vendin e dytë, i munduri mbetet poshtë Shqipërisë, me pikë ose golaverazh. Në Grupin F, Çekia ka 1 pikë dhe luan me Turqinë, e pakualifikuar ende. Barazimi pa gola e çon Çekinë në 2 pikë, me golaverazh më të dobët se Shqipëria.
Gjeorgjia, gjithashtu me një pikë, duhet të fitojë me Portugalinë, pasi barazimi e çon në 2 pikë, por me golaverazh më të dobët se Shqipëria. Pra, fitoret e Anglisë, Portugalisë e Turqisë dhe çfarëdo rezultat në Danimarkë-Serbi kualifikojnë Shqipërinë, që sigurisht më parë duhet të marrë pikën e dëshiruar me Spanjën.