Skënderbeu, pa tension në Shkodër
Skënderbeu do të luftojë për vendin e katërt në Shkodër, ku është mundur 5-0 në vizitën e fundit, por trajneri Gvozdenoviç nuk ndjen asnjë presion, shprehet i qetë pas mbijetesës dhe një sezoni që ai e quan të suksesshëm.
Skënderbeu do të kërkojë të ruajë vendin e katërt në javën e fundit të kampionati me ndeshjen kundër Vllaznisë në Loro Boriçi. Është një nga transfertat më të vështira të mundshme, pasi Skënderbeu i ka humbur të treja ndeshjet e luajtura kundër Vllaznisë në këtë kampionat, ka pësuar tetë gola e nuk ka shënuar asnjë, dhe vizita e fundit në Shkodër u mbyll 5-0 për kuqeblutë.
Megjithatë, nuk ka aspak tension, përkundrazi, trajneri Ivan Gvozdenoviç thotë se ndihet i qetë, për shkak se objektivi kryesor, që ishte mbijetesa, u arrit dhe katërshja finale është thjesht një bonus i këndshëm.
“Është hera e parë që jam i qetë. Arritëm objektivin që kishim, qëndrimin në Superiore. Tani, nëse do arrijmë të kapim një vend të karëtr, ky do të ishte një plus i madh për ne. Ne do të luftojmë kundër Vllaznisë, nëse e meritojmë, atëherë do e arrijmë vendin e katërt”, ka theksuar Gvozdenoviç.
Edhe pse kampionati nuk është mbyllur ende, Gvozdenoviç bën një bilanc të shpejtë dhe e quan sezonin të suksesshëm, si në aspektin sportiv, edhe në atë financiar.
“Objektivi i parë, qëndrimi në Superiore, është arritur. Edhe aktivizimi i lojtarëve të rinj është një tjetër objektiv i arritur. Shitëm një sulmues, sollëm të ardhura. Me këto tre gjëra, mund të them se ky ishte maksimumi. Tani, nëse do arrijmë vendin e katërt, atëherë do të ishte një plus i madh për ne”, ka përfunduar trajneri i Skënderbeut.