SKY ECC dhe Encro Chat, Balla: Formular vetëdeklarimi për policinë, AMP dhe Gardën. Përjashtim për përdoruesit
Punonjësit e Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës do të plotësojnë një formular vetëdeklarimi në lidhje me përdorimin prej tyre, ose jo të aplikacioneve SKY ECC apo Encro Chat.
Urdhri i posaçëm është firmosur nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla, sipas së cilit çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës.
Urdhri shoqërohet nga formulari përkatës dhe është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, formulari i vetëdeklarimit po u shpërndahet për plotësim strukturave të mësipërme dhe do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve.
“Ministria e Brendshme është e vendosur për të çuar para përgjegjësisë ata punonjës të strukturave që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe grupet kriminale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.