Sllovakia bën surprizën, mund Belgjikën me… “VAR”
Sllovakia ka bërë surprizën duke mundur Belgjikën me avantazh minimal, 1-0. Ekipi belg ka shënuar dy herë me anë të Lukakut, por “VAR” e pengoi të festonte në të dy rastet.
Golin e vetëm të ndeshjes së zhvilluar në Frankfurt e realizoi Schranz që në minutën e shtatë, pas një gabimi në mbrojtje të “Djajve të Kuq”.
Belgjika kishte thuajse 90 minuta lojë në dispozicion për të ndryshuar rrjedhën e lojës, por nuk ia doli të shënonte qoftë një gol.
Në fakt, Romelu Lukaku arriti ta dërgonte dy herë topin në rrjetë, por iu anuluan pas ndërhyrjes së sistemit VAR.
Në rastin e parë (56’) për pozicion jashtë loje, ndërsa në fundin e takimit për prekje të topit me dorë në zhvillim të aksionit. Tashmë Belgjika duhet të bëjë kthesën në dy ndeshjet e radhës në grup me Rumaninë dhe Ukrainën.
Kjo është hera e parë në një Europian ku një lojtari (Lukaku) i hiqen dy gola!