Snus, “droga” që po çmend gjimnazistët. Eksperti: Krijon varësi nga nikotina
Është konsideruar si një produkt që ndihmon për lënien e duhanit, por “Snus” po merr u jetën të rinjve thuajse në të gjitha vendet ku është ndaluar tashmë.
Eksperti për kontrollin e duhanit, Roland Shuperka, deklaroi për “Mirëmëngjesi Shqipëri” se produkti suedez, i cili ka filluar të shitet edhe në Shqipëri, përmban nikotinë në sasi që nuk duhet përdorur nga grupmoshat e reja.
“Snusi po prodhohet tani edhe në formë sintetike, përfshirë nikotinën. Mund të mbahet deri 40 minuta në buzën e sipërme dhe në mishrat e dhëmbëve. Prej 10 vitesh përdoret në Suedi. Është ndaluar në vendet e Bashkimit Europian. Filloi Kroacia, Zvicra, Irlanda dhe Britania e Madhe. Tani po përdoret edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Suedia e ka ulur normën e duhanpirjes në 5,6 për qind, vendi i parë në botë me ulje kaq të fortë. Studimet suedeze tregojnë se janë përgjysmuar sëmundjet kardiovaskulare në masën 41 për qind në krahasim me vendet e BE-së. Por dua të theksoj se produkt duhani apo nikotinë që të bën mirë, nuk ka,” u shpreh z. Shuperka.
Eksperti theksoi se Snusi është absolutisht i dëmshëm për rininë adoleshente, e cila pëlqen të eksperimentojë, të duket e pavarur.
“Studime janë bërë vetëm në Suedi, ku përdorimi i Snusit është prioritar për uljen e duhanpirjes me djegie. Markat franceze dhe kanadeze po e testojnë një produkt të ngjashëm. Nuk e di cili produkt ka hyrë në Shqipëri, por duhet të ruhemi nga falsifikimet. E keqja e këtyre drogave si çamçakëzë është se nuk lënë gjurmë për t’u vërejtur nga prindërit. Dëmi i tyre më i madh te grupmoshat e reja është varësia nga nikotina,” tha z. Shuperka.