Socialistët e Spanjës fituan në Katalonjë – Separatistët humbën shumicën pas 10 vitesh në pushtet
Socialistët e kryeministrit spanjoll Pedro Sánçez fituan zgjedhjet rajonale të së dielës në Katalonjë pasi partitë pro-pavarësisë humbën terren. Partia Socialiste Katalanase mori një fitore të qartë. Nga 99% e votave të numëruara, ajo siguroi 42 mandate nga 135 vende në Parlamentin rajonal ose 9 më shumë sesa në zgjedhjet paraprake të mbajtura në vitin 2021.
Ndërkohë Istituti i Statistikave të qeverisë rajonale thotë se mbështetja për pavarësinë e Katalonjës ka rënë në 42%, nga 49 që ishte në vitin 2017. Duke e cilësuar rezultatin historik, kryeministri spanjoll tha se këto zgjedhje do të shënojnë nisjen e një epoke të re në Katalonjë. Në fushatën përpara tyre, çështja e marrëdhënieve të Katalonjës me pjesën tjetër të Spanjës kaloi në plan të dytë për shkak të sfidave të tjera si thatësira në rajon dhe kriza e strehimit.
Partia e linjës së ashpër “Së bashku për Katalonjën” e ish-presidentit rajonal Karl Pixhemont u rendit e dyta me 35 vende në parlament, por duke u rikthyer si forca kryesore pro-pavarësisë në rajon përpara Të Majtës Republikane Katalanase. Megjithatë partitë nacionaliste humbën mbështetjen e votuesve, që do të thotë se nuk kontrollojnë më parlamentin rajonal, duke i dhënë një goditje lëvizjes për pavarësi të Katalonjës.
Ndërkohë partitë që mbështesin pavarësinë vazhdojnë të kërkojnë referendum për ndarjen nga Spanja. Qeveria e pakicës e Pere Aragonès thirri zgjedhjet e parakohshme të së dielës pasi dështoi të merrte mbështetjen e nevojshme për të miratuar buxhetin vjetor të rajonit.